Kapiteni i Manchester United, Bruno Fernandes, ka vendosur të refuzojë një ofertë tejet të majme nga klubi saudit Al-Hilal, duke preferuar të qëndrojë në Premier League dhe të vazhdojë rrugëtimin e tij në Old Trafford. Vendimi i mesfushorit portugez ka qenë një sinjal i qartë i përkushtimit ndaj klubit dhe ambicieve për të konkurruar në nivelet më të larta të futbollit evropian.
Al-Hilal ishte i gatshëm të ofronte një pagesë të madhe transferimi për klubin anglez, ndërsa Fernandes-it do t’i ofrohej një pagë javore që do ta vendoste ndër më të paguarit në botë. Sidoqoftë, 29-vjeçari ka vlerësuar më shumë konkurrencën, prestigjin dhe sfidat që i ofron Premier League dhe futbolli europian sesa ofertat financiare.
Ai pranoi se kishte marrë kohë për të menduar seriozisht për ofertën, duke u konsultuar me familjen dhe njerëzit më të afërt. Fernandes u shpreh se ndonëse ishte një propozim joshës nga çdo këndvështrim ekonomik, ai ndjeu se karriera e tij ka ende shumë për të dhënë në elitën e futbollit dhe se dëshiron të fitojë trofe të rëndësishëm me Manchester United.
Sipas tij, klubi nuk kishte asnjë dëshirë për ta larguar dhe gjithçka do të varej nga vullneti i lojtarit. Fernandes theksoi se ndonëse ndryshimi i ambientit mund të kishte qenë më i lehtë për familjen, pasioni për lojën dhe objektivat e pambyllur në Europë ishin më të forta se çdo lloj tjetër motivimi.
Sezoni i fundit i Manchester United nuk ishte ndër më të suksesshmit në aspektin kolektiv, me ekipin që u rendit jashtë vendeve të para dhe dështoi në përballje të rëndësishme. Megjithatë, Fernandes ishte një nga pikat e ndritura të skuadrës, duke përfunduar sezonin me 19 gola dhe 19 asistime në të gjitha kompeticionet. Ai u shpall për të katërtën herë “Lojtari i Vitit” në klub, një dëshmi e peshës së tij në fushë dhe në dhomën e zhveshjes.
Vendimi i tij për të qëndruar vjen në një moment kyç për klubin, i cili është në një fazë të thellë transformimi nën drejtimin e trajnerit Ruben Amorim. Manchester United ka nisur të përforcojë ekipin me emra të rinj, përfshirë sulmuesin brazilian Matheus Cunha dhe po kërkon të afrojë edhe lojtarë të tjerë me potencial të lartë.
Përkushtimi i Fernandes për t’i qëndruar klubit në një moment të vështirë është parë si një shenjë pozitive jo vetëm nga tifozët, por edhe nga vetë administrata e klubit. Ai mbetet jo vetëm një lider teknik në fushë, por edhe një simbol i qëndrueshmërisë dhe pasionit për fanellën e kuqe të Manchester United.
Pavarësisht tundimeve nga Lindja e Mesme dhe ofertave që nuk mungojnë, Fernandes ka zgjedhur rrugën e sfidës dhe besnikërisë, duke vendosur të qëndrojë aty ku ndjen se mund të bëjë diferencën.